Ndeshja më e rëndësishme në Premier League deri më tani këtë sezon do të zhvillohet sot.
Arsenalin pret Manchester Cityn në “Emirates Stadium”.
Këto ishin dy skuadrat më të mira në Premier League sezonin e kaluar, kur “Topçinjtë” ishin në krye të tabelës në pjesën më të madhe të sezonit, shkruan Lajmi.net.
Por, ishte City që fitoi ligën me pesë pikë më shumë, duke fituar titullin e tretë radhazi dhe të pestin në gjashtë vjet.
Tani Arsenali do të përpiqet të rrëzojë “Qytetarët” nga pozicioni i tyre në krye të tabelës të këtij viti.
Humbja e vetme e Cityt në ligë erdhi në ndeshjen e tyre të fundit, një pengesë 2-1 ndaj Wolves të shtunën e kaluar.
Derisa, “Topçinjtë” arritën në një fitore 4-0 në Bournemouth në të njëjtën ditë.
City do të jetë pa John Stones e Kevin de Bruyne që janë të lënduar, kurse Rodri është i suspenduar.
Nga ana tjetër Mikel Arteta do të jetë pa Jurrien Timber, derisa në dyshim është edhe Saka.
Arsenali është në vendin e tretë në tabelë dhe një fitore do t’i shihte ata të barazonin pikët me Cityn që është në vendin e parë.
Ndeshja fillon në ora 17:30. /Lajmi.net/