Ja ku është Çalhanoglu i vërtetë. Në momentin më të vështirë të sezonit, turku merr mbi shpatulla Interin dhe vendos në vend një sfidë që u komplikua në maksimum kundër Monzës së fundit në klasifikim. U rikthye titullar pasi qëndroi në stol në Roterdam dhe kjo gjë e ndihmoi që të rikuperohej plotësisht nga dëmtimi dhe shqetësimi që e bëri të braktiste përpara kohe ndeshjen kundër Napolit në “Maradona”.
Turku ka treguar edhe një herë tjetër rëndësinë e tij në skuadrën e Inzagit. Jo vetëm për golin, por edhe për faktin që në pjesën e parë ishte nga më të mirët, kur të tjerët po vuanin. Sulmet për skuadrën e Interit erdhën nga kambët e tij.
Kundër Monzës gjeti golin e tetë sezonal dhe të 50-tin në total në Serinë A. “Jam shumë i lumtur. Është një numër i rëndësishëm për mua. Dua që të falënderoj shokët e skuadrës për forcën që më japin dhe mbi të gjitha Arnautoviçin që në këto muaj të vështirë më ka ndihmuar shumë. Kam vuajtur shumë këtë vit. Kurrë nuk kam pasur kaq shumë dëmtime dhe po bëj gjithçka për t’u rikthyer si më parë”, tha turku.
I RIGJENERUAR- Ai tregon se goditja që mori ndaj Napolit e vuri në vështirësi. “Ajo goditje më bëri shumë keq. Doja të largohesha nga fusha e lojës, por as nuk ecja dot. Tani jam më mirë”, ka thënë Çalhanoglu. Interi vazhdon të ruajë kreun e klasifikimit dhe e bëri pikërisht falë organizatorit.
Deri tani sezoni i tij nuk ka qenë i shkëlqyer dhe i është dashur që t’ia lërë vendin hera-herës “nxënësit” Asllani. Ka pasur shumë dëmtime, por ai sheh nga e ardhmja. “Tripleta? Ky është mentaliteti i duhur. Ne duhet të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje.
Duam t’ju dhurojmë tifozëve diçka të rëndësishme. Por të shohim hap pas hapi se çfarë do të bëjmë”, përfundoi ai. Hakan Çalhanoglu është rikthyer të jetë vendimtar në momentin më të rëndësishëm të sezonit, kur Interi dhe trajneri Simone Inzagi kanë nevojë për të. Duket se ky i fundit ka nisur që ta menaxhojë mirë në një sezon shumë delikat.
PANORAMASPORT.AL