Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, janë vërshëllyer teksa hynin në fushë për ceremoninë e dhënies së trofeut të Kupës së Botës për Spanjën. Vërshëllimat zgjatën pak sekonda, ndërkohë që Infantino ishte shënjestër e tifozëve spanjollë gjatë finales, pasi ata kishin bindjen se FIFA favorizon Argjentinën.
Gjatë ceremonisë pati edhe një moment të sikletshëm, kur Trump mori në duar Kupën e Botës dhe pastaj donte të ishte pjesë e fotos së Spanjës. Infantino kishte thënë se rregullorja lejon vetëm presidentin e FIFA-s, lojtarët, stafin dhe presidentin e vendit fitues të mbajnë në duar trofeun, por për “një fitues si Donald” mund të bëhej një përjashtim.
Presidenti i SHBA-ve do të preferonte t’ia jepte Messi-t atë trofe, por iu desh t’ia dorëzonte Rodri-t, i përzgjedhur si lojtari më i mirë i turneut.
Ndoshta më pak se në Botërorin e klubeve 2025, por Donald Trump gjithsesi mbeti brenda festës së kampionëve. Spanjollët donin një foto vetëm për vete dhe Infantino me jo pak siklet i kërkoi presidentit amerikan të spostohej pak. Dhe njeriu më i fuqishëm në tokë bëri një hap më tej.
Sporti dhe pushteti këtë herë janë kryqëzuar si kurrë më parë. Nuk është rastësi që Donald Trump ka ftuar në samitet më delikate ndërkombëtare Infantino-n, që i ka dhënë çmimin misterioz “Fifa Peace Prize”, pasi ka “bashkuar popujt e botës në paqe”.