Max Verstappen edhe një herë prodhoi një kryevepër në Interlagos. Dymbëdhjetë muaj më parë, ai u ngjit nga vendi i 17-të në të parin në shiun e rrëmbyeshëm, por këtë herë ai e nisi garën nga “pit-lane” dhe u rendit në vendin e tretë.
Fitorja e Lando Norris në Brazil duket se i ka dhënë fund përfundimisht ëndrrave të holandezit për një titull të pestë botëror në Formula 1. Tashmë britaniku është 49 pikë përpara Verstappen, ndërkohë që kanë mbetur edhe tri gara për t’u zhvilluar.
“Tani jemi 49 pikë prapa, janë shumë pikë. Nuk është se e humbëm titullin këtu në Brazil. E humbëm kampionatin që nga gara e parë deri në Zandvoort, në pjesën e parë të sezonit. Patëm shumë fundjava ku thjesht nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë”, tha Verstappen.
“Pastaj patëm disa momente pozitive ku rikuperuam disa pikë, por jo mjaftueshëm. Kështu që ky sezon ka mbaruar për mua. Ne do të jemi konkurrues edhe në garat e mbetura, por kemi 3 pista shumë të ndryshme, kështu që është e vështirë të thuhet se si do të shkojnë gjërat”, tha Verstappen.


