Nga -42 në -24 pikë sa hap e mbyll sytë. Skualifikimi i Lando Norris dhe Oscar Piastri për konsumim të tepërt të shasisë së McLaren në garën e fundit të Formula 1, zhvilluar në Las Vegas, i kombinuar me fitoren e gjashtë sezonale të Max Verstappen, bëri që holandezi të jetë sërish në garë për titull dy gara nga fundi.
Ndërkohë që, në lojë janë ende 58 pikë, duke pasur parasysh se në Katar do të zhvillohet edhe gara sprint. Shpresat e Verstappen për të mbrojtur titullin për pilotë janë ende të mëdha megjithëse Lando Norris mund ta përballojë presionin e konkurrencën edhe nëse renditet dy herë i dyti, pas holandezit.
“Jemi afruar në renditje që nga Las Vegas, por kjo nuk do ta ndryshojë qasjen tonë. Ne i afrohemi çdo fundjave të përqendruar në maksimizimin e performancës së makinës dhe në marrjen e sa më shumë pikëve të jetë e mundur. Është një fundjavë me garë sprint, kështu që ka edhe më shumë pikë”, tha Verstappen.
“Duhet të zhvillojmë një fundjavë perfekte për të shpresuar. Lusail është një pistë e vështirë, ku nxehtësia e bën menaxhimin e gomave thelbësore. Ne duhet të sigurohemi që të ekzekutojmë gjithçka në mënyrë korrekte, duke marrë parasysh se do të duhet të bëjmë një garë me dy ndalesa të detyrueshme”, shtoi holandezi.


