Max Verstappen ndodhet ende i treti në renditjen e botërorit për pilotë. Ai është 36 pikë pas Lando Norris, që aktualisht kryeson renditjen. Rikuperimi nga diferenca prej mbi 100 pikësh e verës së kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm, por kanë mbetur vetëm katër gara (edhe dy gara sprint) për të provuar përmbysjen e madhe.
Në konferencën para garës së ardhshme në Brazil, piloti holandez i Red Bull shpjegoi: “Kemi pasur gara të mira që kanë ngushtuar hendekun, por ai është ende mjaft i madh. Duhet të shënoj bëj më tepër pikë se ata çdo fundjavë, gjë që nuk është aq e lehtë”.
“Nëse do të ishte viti 2023, do të thoja se nuk ka probleme, por ky sezon është pak më ndryshe, po përpiqemi të optimizojmë gjithçka. Ndoshta do të na duhet pak fat të paktën në një garë, por do t’i japim gjithçka”, shtoi Verstappen.
Verstappen, më pas synon të ushtrojë presion mbi rivalët e tij, duke ia hequr atë vetes dhe ekipit të tij: “Nuk kemi asgjë për të humbur. Në rastin më të keq, do të qëndrojmë në vendin e tretë; në rastin më të mirë, mund të fitojmë kampionatin. Nuk jam nën presion”.
“E di që kam pasur një sezon të shkëlqyer dhe kam ngarë shumë mirë. Mendoj se do të kishte qenë e vështirë për këdo në cirkuit të më imitonte. Sigurisht, lufta në McLaren do të krijojë një lloj shpërqendrimi, por ata ende kanë një makinë shumë të shpejtë”, tha Verstappen.


