Max Verstappen me Red Bull triumfoi sot në garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, duke korrur suksesin e tretë sezonal. Një garë e shkëlqyer e kampionit të botës, që edhe pse hasi pak vështirësi në xhirot e para arriti të triumfojë.
Verstappen e dominoi garën, madje krijoi një shkëputje të ndjeshme ndaj dy makinave McLaren, që u renditën në dy vendet e tjera të podiumit. Lando Norris u klasifikua në vendin e dytë, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri (i treti).
Jashtë podiumit mbeti Ferrari, në vendin e katërt me Charles Leclerc, ndërsa Lewis Hamilton u klasifikua në vendin e gjashtë. Mes dy makinave Ferrari u rendit makina Mercedes e George Russell (i pesti).
Me fitoren në garën e sotme në Monza, Verstappen vendosi edhe rekordin e garës më të shpejtë në historinë e Formula 1. Ajo zgjati 1h13’23”, duke thyer rekordin e Michael Schumacher në vitin 2003, po në këtë pistë.
Për sa i përket garës, ajo ishte e bukur vetëm në 10 xhirot e para, me mjaft parakalime në vendet e para dhe më pas ishte më e qetë. Në zonën e pikëve u renditën edhe Alexander Albon, Gabriel Bortoleto, Kimi Antonelli dhe Isack Hadjar.
Në renditjen e përgjithshme për pilotë, tashmë Piastri ka 31 pikë më shumë se Norris, me këtë të fundit që sot fitoi 3 pikë. Për “kokëkuqen” vendi i katërt ishte maksimumi në garën e shtëpisë, pa kapur dot podiumin.