Mallkimi i Singaporit vazhdon edhe këtë vit për Max Verstappen, i cili nuk ka fituar kurrë në pistën Marina Bay në karrierën e tij. Këtë herë ai u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, por duke lënë pas dy makinat McLaren të Lando Norris dhe Oscar Piastri, me të cilët duelon për titull.
Ky përfundim i lejon Verstappen të rrëmbejë disa pikë të tjera në renditje ndaj tyre. Holandezi i Red Bull tani është 63 pikë pas liderit Piastri. Ende shumë, me vetëm gjashtë gara të mbetura, por trendi aktual mbetet i favorshëm për Verstappen.
“Ishte e pamundur të sfidohej Russell dhe vetëm arritja për ta mbajtur McLaren e Lando Norris pas ishte një sukses. Nuk mendoj se kishim ritmin për të fituar dhe, në të njëjtën kohë, mendoj se McLaren ishte gjithashtu më i shpejtë se ne”, tha Verstappen.
Më tej, 4 herë kampioni i botës në Formula 1 tha: “Kishim një makinë më të shpejtë pas nesh dhe arritëm rezultatin më të mirë të mundshëm në Singapor duke pasur parasysh kushtet që kishim”.
“Mendoj se ky është një rezultat i shkëlqyer. Fatkeqësisht, ende nuk është pista jonë e preferuar, por po mësojmë më shumë dhe po bëjmë më mirë. Natyrisht, ka ende punë për të bërë në një pistë si kjo” përfundoi Verstappen.