Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç ka folur për mediat në prag të takimit ndaj Teutës, që do të luhet nesër në orën 20:00 dhe do të transmetohet në RTSH Sport. Tekniku serb kërkon që të debutojë me fitore në krye të skuadrës kryeqytetase.
Çfarë mendoni të ndryshoni në debutimin tuaj te Partizani?
Fillimisht dëshiroj të falenderoj publikisht të gjithë lojtarët për përkushtimin dhe impenjimin që kanë treguar përgjatë këtyre ditëve. Përsa i përket pyetjes tuaj në kaq pak ditë është e vështirë të jap opinionin e duhur përsa i përket lojtarëve. Por ajo që dua të saktësoj, është që në këto 3 ditë që kemi punuar kam marrë mjaftueshëm informacion më shumë se në ditën e parë të stërvitjes. Tashmë kam idetë e mia si do të vijojmë të punojmë në vazhdim.
Si është gjendja e skuadrës?
Kemi disa lojtarë me probleme, por mendoj se kjo situatë vjen si pasojë e impenjimit të skuadrës në kupat e Evropës. Pas ndeshjes me Teutën do të kemi 10 ditë në dispozicion për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve nëpërmjet një raporti të detajuar. Në këtë moment që flasim kemi disa lojtarë me probleme. Do të testojmë gjendjen e tyre në seancën e fundit stërvitore që kemi pas pak dhe do të vendosim kush do të jetë i gatshëm për ndeshjen nesër.
Do të ketë ndryshime në emra përsa i përket formacionit?
Normalisht që do të kemi disa ndryshime pasi e citova edhe pak më parë që kemi disa lojtarë të cilët kanë shfaqur probleme. Gjithashtu Maguette nuk është më në skuadër dhe ai lojtar ishte shumë i rëndësishëm. Do të na duhet të mendojmë zgjidhje të tjera për pozicionin e lënë bosh nga Maguette.
Çfarë Partizani pritet në drejtimin e Veselinoviç?
Unë dua të jem i drejtpërdrejt. Unë kam idetë e mia, dhe ato do të mund ti shikoni pas pak kohësh. Për atë çfarë do të bëjmë unë dhe lojtarët çdo gjë do ta tregojmë në fushën e lojës. Përpara ndeshjes me Teutën në këtë moment situata është e tillë. Unë dhe stafi im sapo kemi ardhur, disa lojtarë janë me probleme, Maguette është larguar. Nëse mbani mend në ditën e prezantimit përpara jush kam theksuar se ne duhet ti marrim gjërat hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje. Ne jemi Partizani dhe unë tashmë jam pjesë e Partizanit që është një klub i madh. Si një klub i tillë të gjithë presin nga Partizani të fitoj çdo ndeshje. Nuk jemi Real Madriti të fitojmë çdo ndeshje , por ne duhet të kemi ambicje për të fituar çdo herë. Për momentin ne duhet të kemi respekt për kundërshtarin. Duhet të kemi respekt për të gjitha skuadra e kampionatit dhe trajnerët e tyre dhe lojtarët,të cilët punojnë dhe shpenzojnë energjitë e tyre çdo ditë. Ky është mesazhi që unë dua të trasmetoj sot. Por pa harruar të respektojmë edhe veten tonë ndonëse kemi vetëm tre ditë që përgatitemi për ndeshjen me Teutën.
Prisni përforcim tjetër në mbyllje të merkatos?
Nesër është dita e fundit e merkatos, do të shohim. Këtë nuk e them për diplomaci. Ju duhet ta kuptoni që unë nuk jam nga ata trajnerë që flasin përditë me drejtuesit e klubit për merkaton. Sigurisht disa ide i kam , por puna ime është të zbres në fushë dhe të stërvis çdo ditë skuadrën.
Sa i kënaqur jeni që disa lojtarë të Partizanit kanë marrë së fundmi ftesë nga ekipet përqafuese?
Sigurisht që çdo trajner duhet të ndihet krenar kur në adresë të lojtarëve të tij mbërrin ftesa e ekipit përfaqësues, dhe askush nuk mund ta refuzoj. Por për mua në situatën dhe momentin që flasim është e vështirë , pasi do të më duhet të punoj gjatë pauzës së kampionatit pa i patur në dispozicion këta lojtarë