Katër fitore dhe një barazim në pesë javët e fundit kanë bërë që Dinamo të marrë kreun e Superiores dhe të shpallet kampione dimri. Askush nuk ka bërë më mirë se blutë, edhe pse këta të fundit luajnë në fushë asnjanëse edhe ndeshjet si pritës.
Kryeqytetasit kanë mundur 2-0 Teutën dhe më pas 2-3 Vllazninë. Pastaj vijnë barazimi 0-0 në Laç dhe dy fitore të tjera ndaj Tiranës dhe Egnatias. Janë vetëm 2 pikë që mungojnë nga 15 në total për këto 5 javë të fundit të kampionatit në 2024-ën. Gjithsesi, është një ecuri për t’u duartrokitur kjo e skuadrës së Dajës, i cili e mori drejtimin kur ajo kishte vetëm 3 pikë dhe tashmë ka 34 pikë.
Ka një statistikë mjaft interesante për Dinamon e gjysmës së parë të sezonit. Nga 9 fitore në total që blutë kanë deri në këtë pikë të kampionatit, 6 prej tyre janë me të njëjtin rezultat, 2-1.
Me këto shifra skuadra e trajnerit Ilir Daja, përveç Egnatias, ka mundur edhe Tiranën, Skënderbeun, Vllazninë, Laçin dhe Elbasanin. Interesant është edhe fakti tjetër se të gjitha këto fitore janë arritur në stadiumin “Elbasan Arena”.
Në këtë fushë kryeqytetasit kanë shënuar 2 gola edhe ndaj Teutës, por në këtë rast nuk kanë pësuar gol. E vetmja fitore me përmbysje është ajo ndaj Vllaznisë, kurse në të tjerat kanë shënuar blutë të parët. Dy fitoret e tjera Dinamo i ka arritur në transfertë dhe bëhet fjalë konkretisht për 0-5 ndaj Elbasanit dhe 2-3 ndaj Vllaznisë.