Në minutat e fundit të ndeshjes së djeshme, u pa një Francë agresive, me fantazi e sidomos, gjithmonë me synimin për të avancuar. Në fakt, gjatë gjithë ndeshjes ishte një ekip ndryshe. Kjo mbase sepse Deshamp iu rikthye 4-3-3 aq shumë të kërkuar nga tifozët dhe mediat në këtë Europian.
Në fakt, gjatë gjashtë ndeshjeve në ekspeditën gjermane, transalpinët kanë provuar të 3-4-1-2, 4-3-1-2, madje edhe 4-3-2-1, por rezultatet kanë qenë të mjerueshme. Franca deri në gjysmëfinale erdhi falë dy autogolave dhe një goli me penallti në barazimin e ndeshjes së grupit ndaj Polonisë. Shumë pak për një skuadër që nisi turneun si favorite e që prezantohej si nënkampione Bote në fuqi.
ALIBITË – Mbilodhja e lojtarëve, polemikat politike, maska e Mbapesë, lënia jashtë e Zhirusë (golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares) ishin vetëm disa nga shkaqet që mediat transalpinë i faturuan dështimit në Gjermani. E të mendosh që Deshamp, një ditë para ndeshjes me Spanjën, sugjeronte njerëzit të shikonin diçka tjetër nëse nuk u pëlqente loja e “Gjelave”. Ja që kjo skuadër e mbushur me kampionë e konkurrencë në çdo rol, nuk solli më shumë se një gol me aksion në thuajse 600 minuta të luajtura gjatë “Euro2024”. Sipas faqes statistikore “OPTA”, ishin të paktën 7.3 golat që Franca duhet të shënonte në turne, por goditjen ishin të pakta e të pasakta. Nga 88 goditje në gjashtë ndeshje, ekzaktësisht gjysma kanë përfunduar jashtë kuadratit, teksa vetëm 23 kanë qenë brenda tij. Sigurisht, që përpara se të shënosh, duhet të mundësh edhe portierët kundërshtarë, por Mbape me shokë nuk ua kanë vështirësuar punën rivalëve. Edhe goditjet nga jashtë zone kanë qenë të pakta dhe me precizion të ulët çka flet qartë për mungesën e qartësisë së francezëve në raport me portat kundërshtare.
MENJA E SALIBA – Nga 19 lojtarët e përdorur nga Deshamp gjatë Europianit, të vetmit me mesatare mbi 7 kanë qenë Menja dhe Saliba. Pas tyre Upamekano. Praktikisht zemra e mbrojtjes e cila çedoi vetëm mbrëmë dhe sepse përballë kishin një Spanjë që është tashmë favoritja e madhe për triumfin në tokën teutone. Portieri i Milanit dhe mbrojtësi i Arsenalit ishin ata që ndalën rivalët në shumicën e rasteve, teksa edhe filtri i Kantesë ishte i vetmi që funksionoi. Kamavina e Tçuameni u përdor pak e shfaqën shenja mbingopjeje, teksa Rabio e kishte mendjen më shumë te kontrata e re pas ndarjes nga Juvja. Me kaq shumë shqetësime dhe me një frymë grupi në limitet më të ulta të saj, Franca ndoshta e kishte të tepër edhe gjysmëfinale. Megjithatë gjithçka do të nisë nga Deshamps. Federat e ka konfirmuar deri në 2026.
PANORAMASPORT.AL