Luciano Spaleti duket se po drejton me dorë të hekurt tek Italia. Ai i befasoi paksa të gjithë gjatë konferencës së parë për shtyp, që nga grumbullimi i kombëtares italiane, teksa përgatitet për miqësoret ndaj Venezuelës dhe Ekuadorit.
Përveç komentimit të çështjes “Acerbi”, trajneri axurr iu rikthye edhe diçkaje që e ka shumë për zemër. Fjala është për çështjen e lojtarëve axurrë, të cilët ishin shumë të zënë duke luajtur ‘PlayStation’ deri në orët e vona të natës, para ndeshjeve.
“A është e drejtë për ju që profesionistët e veshur me fanellën e Italisë të mos flenë natën, por të luajnë video-lojëra, dhe të mos japin maksimumin të nesërmen? Nuk më intereson se çfarë bëjnë lojtarët, më intereson që në një kohë të caktuar ata të përpiqen të flenë”.
Referenca i përket intervistës së dhënë për “Gazzetta dello Sport” disa javë më parë, në të cilën nënvizoi sjelljen e padëshiruar të disa prej lojtarëve të tij, të cilët ishin të zënë duke luajtur video-lojëra deri në orët e vona të natës. Një situatë që shkaktoi diskutime, me Spallettin që nuk humbi kohë për t’i vënë të gjithë në rresht.
“Kjo në funksion të Kampionatit të ardhshëm Evropian, në të cilin do të duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe kompaktë nga fillimi në fund, pa shpërqendrime të tepërta”, – saktëson më tej Spaleti.
Rregullat e reja të vendosura në grup, veçanërisht për sa i përket kohës së lirë, duhen zbatuar me përpikëri. Kushdo që nuk i respekton mund të qëndrojë lehtësisht në shtëpi: “Në Kampionatin Evropian do të kemi një sallë lojërash të përbashkët, sepse është e rëndësishme ta mbushim hapësirën. Në mesnatë, të gjithë në dhomë, sepse varësitë nuk janë të mira.”
PANORAMASPORT.AL