Barcelona dhuroi spektakël dhe një fitore të thellë 6-0 ndaj Valencias në “Estadi Johan Cruyff”, duke treguar forcën e saj ofensive me gola të bukur dhe dominim të plotë në fushë.
Kuqeblutë zhbllokuan rezultatin në minutën e 29-të. Ferran Torres asistoi bukur për Fermín López, i cili tregoi vendosmëri në zonë dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në cepin e portës, 1-0 për Barcelonën.
Pas pushimit, katalanasit shpërthyen me gola të njëpasnjëshëm. Në minutën e 53-të, Marcus Rashford krosoi në zonë dhe Raphinha u gjend në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat në 2-0. Vetëm pak më vonë, në minutën e 56-të, Fermín López realizoi golin e dytë personal me një predhë nga distanca që u ndal në shtyllën e majtë të portës kundërshtare, duke çuar rezultatin në 3-0.
Spektakli nuk ndalej. Në minutën e 66-të, Raphinha shënoi ‘dopietën’ e tij me një goditje të ulët dhe të saktë, duke e çuar avantazhin në 4-0.
Në minutën e 76-të, ishte radha e Robert Lewandowskit, i cili pasi mori një asist nga Dani Olmo, goditi fort drejt trekëndëshit dhe topi përfundoi në rrjetë pas një përplasjeje me shtyllën. Barcelona kryesonte 5-0.
Në fund, polaku gjeti edhe golin e dytë personal. Në minutën e 86-të ai shënoi sërish, me Barcelonën e cila e mbylli sfidën me rezultat të thellë 6-0.
Barcelona dhuroi futboll spektakolar, me Fermín López dhe Raphinha protagonistë absolutë, ndërsa Lewandowski vulosi një mbrëmje të paharrueshme për katalanasit.