Brazili ka arritur një fitore të thellë në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026, pasi para tifozëve të vet ka mposhtur Perunë me rezultatin 4-0.
Në praninë e 72 mijë tifozëve në “Estadio Nacional Mane Garrincha”, brazilianët ishin të pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve, ku Raphinha shkëlqeu me dy gola.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 38-të me anëtarin e Barcelonës që realizoi nga pika e bardhë për 1-0.
Raphinha shënoi sërish nga pika e bardhë, ku kësaj radhe në minutën e 54-të për t’i dhënë epërsinë e dyfishtë brazilianëve.
Dy golat e fundit në ndeshje u shënuan nga zëvendësuesit Anderson Pereira për 3-0 në minutën e 71-të dhe Luis Henrique për 4-0 tre minuta më vonë.
Me këtë fitore Brazili ngjitet në vendin e katërt me 16 pikë, gjashtë më pak se Argjentina kryesuese.