Interi fitoi bindshëm 3–0 ndaj Fiorentinës në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Serie A, duke u rikthyer menjëherë te fitorja pas humbjes së rëndë në Napoli. Me këtë sukses, skuadra e trajnerit Cristian Chivu ngjitet në vendin e tretë me 18 pikë, në krah të Milanit të Massimiliano Allegrit.
Zikaltrit dominuan takimin nga fillimi deri në fund, duke u përplasur për më shumë se një orë me murin mbrojtës të Fiorentinës dhe me një De Gea në formë të shkëlqyer, i cili shpëtoi skuadrën e tij me disa pritje spektakolare. Avantazhi erdhi nga një goditje e fuqishme nga distanca e Hakan Çalhanoglu, që u ndal në cepin e portës. Më pas, kroati Suçiç realizoi golin e parë të tij me fanellën zikaltër pas një kombinimi të shkëlqyer me Lautaro Martínez.
Në minutat e fundit, Fiorentina pësoi goditjen përfundimtare: Viti u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli ndaj Bonny-t, dhe Çalhanoglu shënoi sërish nga penalltia për rezultatin 3–0.
Skuadra e Piolit, megjithëse rezistoi për më shumë se një orë, bëri shumë pak për të merituar një rezultat pozitiv. Fiorentina mbetet në vendin e parafundit me vetëm 4 pikë pas nëntë javësh, ende pa fitore, ndërsa e ardhmja e trajnerit Pioli duket gjithnjë e më e pasigurt.


