Luka Donçiç u rikthye nga dëmtimi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke udhëhequr Los Angeles Lakers me një paraqitje spektakolare kundër Miami Heat. ‘Ylli’ slloven regjistroi një ‘triple-double’ me 29 pikë, duke hyrë në historinë e klubit dhe duke vendosur një rekord të ri për pikët e shënuara në katër ndeshjet e para të sezonit.
Pas mungesës për shkak të një problemi në gisht dhe këmbë, që e mbajti jashtë për tri ndeshje, Donçiç u rikthye i freskët dhe plot energji, duke treguar nivelin e tij të MVP-së. Me lojë të kompletuar në sulm dhe në mbrojtje, ai i udhëhoqi Lakers drejt fitores 130-120, duke fituar duartrokitjet e tifozëve që prisnin rikthimin e tij.
Me gjithsej 165 pikë në katër ndeshjet e para të sezonit 2025-26, Donçiç la pas legjenda si Jerry West dhe Kobe Bryant, duke vendosur një rekord të ri në historinë e klubit. Ai aktualisht po regjistron mesatarisht 41.3 pikë, 11.5 kërcime dhe 8.3 asistime për ndeshje, statistika që e vendosin mes lojtarëve më dominues në NBA.
Në mungesë të LeBron James, i cili ende po rikuperohet, Donçiç po mban peshën kryesore të ekipit dhe po i çon Lakers-at drejt objektivave madhorë. Forma e tij e jashtëzakonshme dhe rikthimi i pritshëm i LeBron-it pritet të forcojnë edhe më shumë ambiciet e klubit për titull.
Paraqitja ndaj Miami Heat nuk ishte vetëm një ndeshje e madhe për Donçiç, por një sinjal i qartë se një epokë e re po nis te Lakers, e udhëhequr nga një prej ‘yjeve’ më të ndritshëm të NBA-së.


