Milani u ndal në një barazim zhgënjyes 2-2 përballë Pizës në “San Siro”, një rezultat që u prishi qetësinë kuqezinjve dhe vuri në rrezik kreun e renditjes. Skuadra e Massimiliano Allegrit kontrolloi ndeshjen pa probleme në pjesën e parë, por mungesa e vendosmërisë dhe nënvlerësimi i kundërshtarit kushtuan shtrenjtë.
Rafa Leao kaloi Milanin në avantazh që në minutën e 7-të, duke krijuar përshtypjen e një mbrëmjeje të qetë për vendasit. Megjithatë, paralajmërimi i Allegrit para ndeshjes — “këto takime fitohen vetëm kur respekton kundërshtarin” — rezultoi profetik. Milani uli ritmin, ndërsa Piza rezistoi dhe priti momentin e duhur.
Në pjesën e dytë, trajneri Gilardino aktivizoi Cuadradon, i cili brenda 15 minutash fitoi dhe shënoi penalltinë e barazimit. Kolumbiani, i mallkuar për Milanin, realizoi golin e tij të tetë në karrierë ndaj kuqezinjve.
Milani reagoi me pak mundësi konkrete: Leao goditi traversën, ndërsa Nkunku shpërdoroi një rast të artë. Piza, në anën tjetër, shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë ku Nzola e përmbysi rezultatin, duke shokuar publikun. Vetëm në minutën e 93-të, Athekame shpëtoi skuadrën e Allegrit nga një disfatë turpëruese, duke vendosur shifrat në 2-2.
Ky rezultat është një paralajmërim për Milanin: një ndeshje kundër një rivali pa fitore në kampionat dhe pa gola në tri sfidat e fundit përfundoi në dramë. Një mësim i qartë për Allegrin dhe lojtarët e tij, asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar.
			

