Kristian “Bobo” Vieri është një nga figurat më të kërkuara nga televizionet italiane dhe ato botërore për të komentuar Europianin gjerman, por në pritje për të zbuluar se ku do të punojë këtë verë, ish-sulmuesi i Kombëtares “Axurre”, i ftuar në një event në Parma, ka folur për shumë tema të nxehta aktuale.Sigurisht që kryefjala ishte Europiani i Italisë, por pa dyshim që edhe mënyra sesi mund të ringrihet Juventusi me Tiago Motën, çështja Kieza, apo edhe rikthimi i Kontes në Serinë A, te Napoli, premtojnë surpriza të mëdha.
KIEZA – “Unë nuk e di se çfarë ka të vërtetë në zërat që Juventusi e do apo kërkon ta shesë, por ajo që unë mund të garantoj në bazë të eksperiencës sime di të them se nëse Federiko është në formë di që të bëjë gjithmonë diferencën. Për mua Kieza është një kampion i madh, e pamë në aksion në Europianin e fituar, por natyrisht që dëmtimet ndikojnë, ashtu sikurse ndikon kur dëgjon se nuk ke shumë besim rreth teje. Konte e do te Napoli? Dhe bën mirë, ndonëse një si Federiko Kieza di të përshtatet me çdo trajner të mundshëm. Dhe çdo trajner do të donte një si ai. Pastaj, për sa i përket Kontes te Napoli unë di të them, ‘të shkretët’ lojtarë të Napolit se çfarë i pret në fazën përgatitore”, nënvizoi Vieri duke qeshur.
MOTA TE JUVJA – Lidhur me trajnerin e ardhshëm të Juventusit, “Bobo” mundohet t’i largojë presion Tiago Motës.
“Kur stërvit Bolonjën, edhe nëse humb 5-6 ndeshje radhazi askush nuk të thotë asgjë… Te Juventusi ndërkohë nuk mund të humbësh, duhet të fitosh. Po, ndoshta Tiago Mota në fillim do të kërkojë që të ndërtojë një skuadër që luan mirë, sepse Bolonja në një vit e gjysmë ka ofruar një futboll vërtet të bukur. Por Juventusi e ka marrë Motën jo vetëm që skuadra të luajë mirë, por të nisë edhe të fitojë, sepse Juventusi është i dënuar që të luajë mirë, por mbi të gjitha edhe të fitojë. Thjesht, Tiago s’duhet ta marrë me frikë, por që në fillim duhet të kuptojë se ku ka shkuar dhe më pas të bëjë atë që di të bëjë dhe çfarë ka grumbulluar nga eksperienca fantastike si futbollist”.
ITALIA – Lidhur me aventurën e Kombëtares së Italisë në Europian, Vieri i ka idetë shumë të qarta: “Realisht nuk e pashë Italinë kundër Turqisë, pasi kurrë nuk kam humbur kohë duke parë miqësoret. Madje nuk do e shoh as atë me Bosnjën, pasi këto janë ndeshje ku duhen provuar detaje të ndryshme, duhet kuptuar çfarë shkon e jo dhe nuk vlen rezultati. Ah po, nga ndeshja e parë me Shqipërinë ndryshon puna. Nga ajo sfidë duhet nisur së shënuari e fituari. Lojtarët e kombëtares dhe Spaleti kanë një luks të madh që quhet ‘Xhanluixhi Bufon’. Xhixhi ka luajtur 4 Botërorë, disa Europianë, prandaj nëse duan që të karikohen, të largojnë presionin, është e thjeshtë… Skuadra të shkojë të flasë me Bufonin sepse një person si ai, vetëm ta dëgjosh të bën të ndihesh mirë. Te kush kam shpresa për sulmin? Te Xhanluka Skamaka. Në dy muajt e fundit ka shënuar gola pa fund dhe në këtë Europian të mendojë që vetëm ka ndërruar bluzë dhe të vazhdojë të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shënojë, pasi duket që e ka golin në gjak”, përfundoi Vieri.
PANORAMASPORT.AL