Dëmtimi i Viniciusit i përket së shkuarës. Braziliani ka lënë pas dëmtimin dhe është kthyer në formë optimale, duke nisur të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shënojë.
Pas golit në mesjavë në Ligën e Kampioneve kundër Napolit, të shtunën ai ka shënuar në suksesin e radhës të Madridit në La Liga kundër Osasunës (4-0). Braziliani ka qenë protagonist i ndeshjes jo vetëm me golin, por dhe me paraqitjen e bërë. Gjithsesi, Ançeloti ka vendosur të mos e shfrytëzojë deri në fund të takimit dhe në momentin e daljes nga loja i gjithë stadiumi “Bernabeu” është ngritur në këmbë për ta përshëndetur sulmuesin. Ai ka folur për mikrofonat e “Real Madrid TV”, ku ka përmendur golin, por dhe i ka premtuar besnikëri klubit të bardhë.
“Jam i lumtur për golin dhe për ecurinë e deritanishme që kemi në kampionat dhe në Champions. Sa për raportet e mia me tifozerinë e Realit, ato janë të shkëlqyera. Është gjithmonë një nder dashuria që kam për këta tifozë dhe ata kanë për mua. Jam shumë i lumtur që luaj këtu dhe dua të vazhdoj të luaj këtu gjatë gjithë jetës sime. Dua të shkruajmë së bashku historinë”, tha braziliani.
PANORAMASPORT.AL