Sulmuesi i Realit, Vinicius Zhunior nuk ka bërë asnjë hap prapa që kur ka vënë këmbën në Madrid. Çdo provë që i është paraqitur në rrugë, ai e ka përballuar pa droje dhe ç’është më e mira, e ka tejkaluar me sukses. Tani sulmuesi i “los blancos” gjendet përpara një tjetër prove. Plani i ri i Karlo Ançelotit për të ndërtuar një Real të ri pa një numër 9 fiks e ka vënë sërish në provë brazilianin. I konsoliduar si një nga lojtarët më të mirë në botë në pozicionin e tij, ylli i Realit është “detyruar” të rimodelojë lojën e tij në përpjekje për t’u përshtatur në mënyrë perfekte në rolin e tij të ri brenda skemës së bardhë.
“Kur Vinicius erdhi për herë të parë në Madrid ai u bë material i gatshëm për “meme” (shaka), sepse shënonte fare pak, pavarësisht se krijonte mundësi të shumta shënimi. Dalëngadalë u mësua me kritikat, diti t’i kapërcente me punë ato dhe tani është ndër 3-4 sulmuesit më të mirë në botë”. Kjo deklaratë ka ardhur nga shoku i tij i ekipit dhe kapiteni i tij Dani Karvahal, edhe ai i regjur me kritikat e shtypit spanjoll. I përballur me vështirësi të tilla, Vinicius u detyrua që në hapat e tij të parë të përmirësonte sa më shpejt nivelin e lojës së tij. Kërkimi për versionin e tij më të mirë e bëri atë të shpërthente sezonin e kaluar, në të cilin ai fitoi një vend në tryezën e të mëdhenjve, duke arritur ta mbyllë sezonin me 23 golave dhe 21 pasime për gol (asist). Me objektivin e arritur, ideja e re e lojës që trajneri italian dëshiron të fusë në skuadër, ka bërë që atij t’i duhet të “ribëhet” si futbollist kur dukej se kishte arritur pjekurinë e duhur në pozicionin e sulmuesit të krahut.
NJË PËRSHTATJE E NDËRLIKUAR – “Ai po përshtatet mirë me sistemin e ri. Atij i pëlqen të luajë më shumë nga brenda. Ai ka goditur tri herë shtyllën dhe ka qenë një protagonist pozitiv edhe pa shënuar”, deklaroi Ançeloti pas humbjes në “El Clasico”-n e parë të sezonit në Dallas. Viniciusit i është dashur të kalojë nga krahu i majtë në skemën 4-3- 3 në majën e sulmit të Realit me dy lojtarë (4-1-2-1-2) brenda natës. Një përshtatje jo fort e lehtë për të, por që është në rrugën e duhur pasi braziliani ka trëguar se kund t’ia dalë edhe në këtë rol të ri, te paktën në tri takimet miqësore që “los blancos” kanë zhvilluar në turneun e tyre në SHBA. Një kompleksitet që Vinicius e ka marrë me normalitet total sepse çdo herë është më shumë “futbollist”. Një shprehje thotë se hiletë mund të mësohen, por magjinë duhet ta keni vetë… dhe Vinicius ka mjaft nga kjo e fundit. Me situatën në këtë pikë, brazilianit i është dashur të përshtatë të luajturit e tij në sulm. Nga sprinti i tij i frikshëm, te intensiteti në harkun e 90 minutave dhe driblimi magjepsës… tani ai duhet të mësohet të vallëzojë nga brenda si një gjysmë pykë. Lëvizjet e reja do të duhet të përmirësohen pak nga pak, derisa të arrijë të gjejë çelësin. Një gamë e re mundësish që do ta lejojnë atë të bëhet një futbollist edhe më i kompletuar. E mira është se Vinicius është ai lloj futbollisti që vepron si një parashutë dhe që është i aftë të përballojë të gjitha programet. Ançeloti mund t’i kërkojë çfarë të dojë, sepse Vinicius do të përgjigjet.
PËRMIRËSIMI I PRESINGUT – Një pikë ku Viniciusit i duhet më shumë punë është mbrojtja. Deri më tani, trajneri Ançeloti e ka mbajtur larg nga kjo detyrë. Por nuk do të jetë e largët dita që italiani t’i kërkojë më shumë sakrifica edhe prapa, veçanërisht kur Realit do t’i nevojitet. Por ajo që është urgjente për të qëndron te presingu ndaj kundërshtarit që në nisjen e aksioneve. Kundër Barçës, ai nuk ishte i suksesshëm në lëvizjet e tij dhe skuadra e Ksavit e shfrytëzoi këtë mangësi të tij. Dhe ai e di mirë se çfarë Karlo pret prej tij
Aventura e yllit turk, Arda Gyler te Reali i Madridit mund të marrë një rrjedhë të papritur në fundjavë. Siç bëjnë me dije mediat spanjolle (“Mundo Deportivo”), 18-vjeçari përballet me dy skenarë. Shkak është bërë dëmtimi i pësuar në menisk gjatë fazës përgatitore që Reali po zhvillon në SHBA. Nga njëra është është skenari më konservator, që do të thoshte se trajtimi i dëmtimit të tij mund të bëhet pa qenë nevoja që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Nëse klubi zgjedh këtë opsion, do të flasim për një rikthim të lojtarit në fillim të nëntorit. Por nëse ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, kjo do të thotë të paktën pesë muaj pushim, domethënë që ai nuk mund të kthehet në fushë para vitit 2024. Sipas skenarit të fundit, Reali mund ta çregjistrojë futbollistin gjatë kësaj pjese të parë të kampionatit ku ai nuk do të luajë dhe ta regjistrojë në janar të 2024-ës.
LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL