Vinicius Junior po kalon një periudhë jo të zakonshme për të, ndërsa sulmuesi i Real Madridit ka pranuar se aktualisht i mungon vetëbesimi si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren e Brazilit.
Braziliani, i cili në vitet e fundit është shquar për shpejtësinë, golat dhe paraqitjet spektakolare, nuk ka arritur ende të gjejë ritmin e tij më të mirë këtë sezon. Me Real Madridin, Vinicius ka realizuar vetëm një gol deri më tani, ndërsa vazhdon të përballet edhe me zhgënjimin e përjetuar në Botëror.
Një moment i rëndësishëm për të erdhi me fanellën e Brazilit, në fitoren 4-2 ndaj Australisë në “Suncorp Stadium”.
Vinicius realizoi nga pika e bardhë në minutën e 80-të, por mënyra se si e mori përsipër penalltinë ishte po aq domethënëse sa edhe goli.
Raphinha, ekzekutuesi i rregullt i penalltive, ishte larguar nga loja, ndërsa Bruno Guimaraes ishte lojtari i radhës në hierarki. Megjithatë, mesfushori vendosi t’ia besojë topin Viniciusit, duke i dhënë mundësinë bashkëlojtarit të tij të përfitonte nga një moment që mund t’i rikthente besimin në vete.
Pas ndeshjes, Vinicius e vlerësoi gjestin e Guimaraesit dhe mbështetjen që mori nga pjesa tjetër e ekipit.
“Bruno Guimaraes është ekzekutuesi ynë i penalltive kur Raphinha nuk luan dhe mendova se ai do të donte ta merrte përsipër. Por ai e di se në këtë moment unë kam nevojë për pak vetëbesim”, deklaroi Vinicius.
Ylli i Real Madridit foli edhe për ndikimin që ka pasur eliminimi nga Botërori dhe vështirësinë për t’u rikthyer në nivelin e tij më të mirë.
“Bashkëlojtarët e mi e dinë se tani kam nevojë për vetëbesim. Të humbasësh një Botëror është e vështirë dhe e dhimbshme për t’u pranuar, ndërsa rikthimi nuk është kurrë i lehtë”, shtoi braziliani.
Goli ndaj Australisë mund të jetë pikërisht momenti që Viniciusit i duhej për të nisur një kapitull të ri dhe për të rikthyer formën që e ka bërë një prej sulmuesve më të rëndësishëm të Brazilit dhe Real Madridit.