Virgil van Dijk ka marrë një nderim të veçantë nga Willem II, klubi ku ai hodhi hapat e parë në futbollin profesionist. Në qendrën e tyre stërvitore Sportpark Prinsenhoeve në Tilburg, tribuna kryesore mban tashmë emrin “Virgil van Dijk Tribune”, duke i dhënë kapitenit të Liverpool-it një vend të përhershëm në historinë e skuadrës që e rriti.
Van Dijk u formua në akademinë e Willem II përpara se të shpërthente me Groningen, më pas me Celtic dhe Southampton, deri te transferimi te Liverpool në vitin 2018, ku fitoi gjithçka: Premier League, Champions League dhe trofe të tjerë që e kanë konsoliduar si një nga mbrojtësit më të mirë në botë.
Klubi holandez e shpjegoi kështu këtë vendim: “Është një dhuratë speciale për Van Dijk, një shenjë mirënjohjeje për karrierën e tij dhe për lidhjen e fortë me qytetin. Emri i tij do të jetë gjithmonë i lidhur me zhvillimin e futbollit të të rinjve në Tilburg. Me këtë, duam të frymëzojmë gjeneratat e reja të futbollistëve”. Një rol ky që lidhet edhe me turneun ndërkombëtar për të rinj “Virgil’s Legacy Trophy”, të cilin vetë Van Dijk e ka rikthyer në qytetin e tij.
I emocionuar, mbrojtësi holandez tha: “Jam shumë krenar. Willem II ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe zhvillimit tim si futbollist. Ky është një nder i madh për mua dhe për familjen time. Ndihem mirënjohës për ngrohtësinë dhe lidhjen që ende ndiej me klubin”.