Fitorja bindëse në Firence, e katërta radhazi, i lejoi Milanit t’i jepte një tjetër goditje në distancë Juventusit dhe të siguronte më mirë vendin e dytë në renditje. Kuqezinjtë, të udhëhequr nga një Leao perandorak, konfirmuan se janë ndoshta skuadra më e mirë në kampionat dhe ritmi i tyre në 2024 është i denjë për titullin.
Distanca nga Interi, edhe nëse ka ende derbin e kthimit për të luajtur, nuk mund të mbushet dhe për të ëndërruar një rikthim thuajse të pamundur duhet të shpresosh në një kolaps të vështirë të kushërinjve, si ai i vitit 2022, kur skuadra e Inzaghit fitoi vetëm 7 pikë në 7 ndeshje dhe i dha fillesë rrugës së “Djallit” drejt titullit. Por asokohe ngjarjet zhvilloheshin mes shkurtit dhe marsit ndërsa me nëntë ndeshje në dispozicion nevojitet një apokalips i mirëfilltë sportiv, i cili ka pak gjasa të ndodhë. Euforia e duhur për momentin e shkëlqyer të formës shoqërohet edhe me keqardhje të pashmangshme. Stefano Pioli, pas ndeshjes, e përcaktoi plotësisht arsyen e diferencës me zikaltrit: “Nuk mendoj se ka 14 pikë mes nesh dhe Interit, por ata shfrytëzuan muajin tonë në të cilin ne regjistruam vetëm 2 pikë dhe ata 12. Ai ishte momenti kur gara u kris”.
ME FRENA DORE – Për të kuptuar se kujt i referohet Pioli, duhet të rikthejmë kasetën e kampionatit dhe të shkojmë në javën e nëntë. I freskët nga pushimi ndërkombëtar dhe nga fitorja e diskutueshme dhe fatlume e Marasit kundër Xhenoas, Milani u mund në shtëpi 1-0 nga Juventusi. Në sfidën pasardhëse, kuqezinjtë nuk arritën të mbronin epërsinë me dy gola në Napoli dhe u barazuan në pjesën e dytë. Goditja e madhe, megjithatë, erdhi në ditën e 11-të, kur Leao me shokë e tij humbën në “San Siro” kundër Udinezes. Periudha e errët përfundoi në Leçe, ku Milani hedh sërish në kosh epërsinë me dy gola. Gjithsej 2 pikë nga 12 në dispozicion dhe lamtumirë ëndrra “titull”, sepse ndërkohë Interi po “asfaltonte” Torinon (0-3), mundi Romën (1-0), kaloi Atalantën 2-1 dhe në fund mundi Frozinone pa ndonjë problem. 12 pikë nga po aq të mundshme dhe një ritëm që vetëm Juventusi mundi ta mbante deri në kolapsin që filloi më 27 janar kundër Empolit.
OBJEKTIVA – Tani urdhërore te Milani është mbyllja e kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme, mbrojtja e vendit të dytë që ia vlen kualifikimi në “Final 4”-in e pasur të Superkupës së Italisë dhe përqendrimi tek i vetmi trofe që ka mbetur, Liga e Europës. Rruga nuk është e lehtë, duke filluar nga çerekfinalja kundër Romës, dhe në teori duket sikur Liverpuli dhe Bajer Leverkuzeni kanë një avantazh. Por me një Leao si ai që admiruam në Firencë, “një përzierje mes Nejmarit dhe Mbapesë” për ta thënë me fjalët e Florencit, gjithçka është e mundur.
PANORAMASPORT.AL