Vitet kalojnë, por Henrik Mkitarian vazhdon të japë leksione në fushën e lojës. Ekziston një arsye pse trajneri Simone Inzagi e zbret gjithmonë si titullar në fushën e lojës. Pas miqësores me Çelsin, mesfushori armen thotë se të gjithë e kanë harruar sezonin e kaluar dhe vëmendja e madhe është tek ky aktuali, ku kampionët duhet të ruajnë fronin.Çfarë note i vendosni fazës përgatitore së Interit?
Nuk di të them për notë, por kemi bërë një përgatitje shumë të mirë. Jemi thuajse në formë optimale të gjithë dhe mungon shumë pak për ta arritur këtë. Na mungon Lautaro Martinez, cili sapo ka ardhur, por pjesa tjetër është mirë. Do të punojmë edhe gjatë këtyre ditëve që të jemi gati për kampionatin ashtu siç duhet.
Si po i përjetoni këto ditë të fundit të stërvitjes përpara një sezoni që parashikohet të jetë shumë intensiv?
Jemi shumë të lumtur që do të rifillojmë. Ne kemi shumë për të treguar në fushën e lojës. E kemi harruar sezonin e kaluar që ka qenë shumë i bukur, por duhet të fokusohemi tek ky i ardhshmi. Do të bëjmë më të mirën tonë për ta nisur me një fitore me Xhenoan.
Luajtët në një stadium shumë “të nxehtë”, pak a shumë siç do të jetë ai i Xhenoas të shtunën…
Ne e dimë se çfarë mbështetjeje i japin tifozët skuadrës së Xhenoas. Edhe ata të Çelsit nuk reshtën së kënduari. E rëndësishme është që të bëjmë lojën tonë dhe të punojmë për t’u përmirësuar dhe për të fituar.
Ishin prezentë edhe shumë interistë. Çfarë efekti ju bën të përqafoni tifozët tuaj?
Mbështetja e tifozëve ka qenë e jashtëzakonshme si gjithmonë. Nuk ishte një transfertë falë tyre. I falënderojmë të gjithë sepse kanë qenë të mrekullueshëm. Shpresoj që të jetojmë emocione të bukura në këtë sezon.
A është duke ardhur forma fizike në 100%?
Shpresojmë që të jemi në 100%, edhe pse nuk është e lehtë. Ne e dimë që duhet të bëjmë maksimumin për të qenë në formë. Duhet të gjithë të tregojmë karakterin dhe atë që treguam një vit më parë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL