Nga i destinuar për të qenë një nga liderët e Interit, për të cilin vetë Stiven Zhang ishte gati të bënte një sakrificë financiare, Romelu Lukaku është kthyer në një nga armiqtë më të mëdhenj të zikaltërve.
Me këtë status do të zbresë në “San Siro” të dielën në orën 18:00 kur me Romën do të sfidojë Interin e “tij”, pas një vere të trazuar dhe shumë episode që vendosën të ardhmen e sulmuesit dhe të repartit ofesiv të milanezëve. Por, ndërsa Lukaku ka “kërcënuar” se një ditë do të tregojë të vërtetën, versioni “zyrtar” është ende ai i tradhtisë së 30-vjeçarit, që negocioi me Juventusin (kryesisht) dhe Milanin dhe më pas nuk iu përgjigj asnjë telefonate nga shokët e tij zikaltër. Deri në përballjen e parë me ta nesër, “La Gazzetta dello Sport” ka treguar të tjera prapaskena nga vera e Lukakut dhe Interit.
INTERESI PËR KLUBIN – Në ditët pas humbjes së finales së Ligës së Kampioneve, Romelu Lukaku telefonon dhe shkruan me kryesinë. Sulmuesi kërkon të dijë se çfarë skuadre do të lindë, pyet kush do të jetë kapiteni, çfarë idesh kanë drejtuesit për forcimin e skuadrës, kush do të largohet… Pyet edhe për Inzagin, me të cilin nuk kishte marrëdhënie të mira, por për të cilin e di se do të konfirmohet, siç ndodhi. Mes sulmuesit dhe trajnerit nuk shkon çdo gjë vaj, por janë gjëra që mund të kapërcehen dhe jo më kot sulmuesi premtoi të mos stërvitej me Çelsin në pritje të akordit. Jemi në fund të korrikut.
KRISJA – Zërat për Juven kanë filluar të qarkullojnë, por edhe pse në këtë pikë përgjigjet e Lukakut ndaj kryesisë ndalojnë, ka një kontakt me avokatin e tij Sebastian Ledur. Interi vazhdon rrugën e tij dhe fluturon në Londër për të mbyllur operacionin, aty ku vjen dushi i ftohtë për zikaltrit, që shohin dyshimet për tradhtinë të bëhen realitet. “Por, a jeni të sigurt që ai dëshiron të vijë te ju?”, pyetën drejtuesit e Çelsit me mirësjellje.
Ditët e mëparshme kishin marrë telefonata nga avokati Ledur, por mbi të gjitha nga drejtuesit e Milanit dhe Juventusit, dy klube të cilave Lukaku nuk u kishte thënë “jo”. Pas kësaj një sërë telefonatash në drejtim të belgut nga drejtuesit te Lautaro e Dimarko. Nuk u përgjigj deri më 14 korrik, kur Interi hoqi dorë prej tij. Kur kupton që transferimit te Juvja vështirësohet, belgu bën prapakthehu, por këtë herë janë zikaltrit ata që nuk duan ta shohin në ekranet e tyre numrin e belgut.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL