Masimiliano Alegri kërkon me çdo kusht Frenk Kesin, pasi ka humbur Sergej Milinkoviç-Saviçin dhe operacioni ka nisur zyrtarisht nga dita e djeshme. Emisarë të Juventusit kanë fluturuar në Barcelonë, duke i dhënë vazhdimësi kështu lajmit që qarkulloi ditën e martë se edhe në Katalunjë po mendonin për një rikthim të Artur Melos, me urdhër të Ksavi Hernandezit, për t’i dhënë një tjetër shans brazilianit, i cili shkëlqeu në vitin e parë, pasi la Gremion e për të luajtur në “Kamp Nou”.
Por fakti që Barça nuk kërkon që të shpenzojë para për lojtarë te të cilët nuk ka garanci, pjesë e listës së mundshme të shkëmbimeve ishte edhe Frenk Kesi, një lojtar që trajneri Alegri e pëlqen shumë dhe këmbënguli për ta pasur në Torino, ku afrikani refuzoi “zonjën e vjetër” për të kaluar nga Atalanta te Milani.
Gjithsesi, në të gjithë këto vite dhe sidomos nga sezoni i kaluar, ku Kesi në 30 prezencat që grumbulloi treçerekun prej tyre i kishte nga stoli, ka bërë që 26-vjeçari të zhgënjehet nga trajtimi që ka pasur dhe pa dyshim që një rikthim në Serinë A do të ishte një serum, i cili mund t’i bënte shumë mirë vetëbesimit dhe karrierës së futbollistit nga Bregu i Fildishtë.
Fakti që Barcelona ia rrëmbeu Milanit me parametër zero, bën që edhe çmimi i Kesit të mos jetë “i rrezikshëm”. Kërkesa e spanjollëve është 25 milionë euro, por oferta e parë e Juventusit është prej 18 milionësh, me shpresën se nëse bisedimet do të vazhdojnë të mund të rriten deri në 20 milionë, shifra që kishin bërë gati edhe për Milinkoviç-Saviç.
Tani, problemi kryesor lidhet me vetë Frenkun, i cili për të kaluar në Torino duhet të limojë disi pagën e tij prej 6.5 milionë eurosh neto. Ideja është për t’u ulur deri në 4 milionë, plus bonuset, ndonëse diçka e tillë nuk është që duket e pamundur, në të kundërt Kesin do ta priste një tjetër sezon i humbur në cepat e pankinës së Barcelonës.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL