Tekniku Igor Tudor është duke përgatitur “betejën” ndaj Bolonjës me kujdesin absolut për të “mbledhur” pjesët që i mungojnë në një sfidë vendimtare për zonën Champions.Përballja e ardhshme në “Dall’Ara” është një lloj finaleje dhe situata e Juventusit nuk është aspak komode mes mungesave për shkak dëmtimesh dhe pezullimeve. Shpresa më e madhe për Tudor vjen nga përmirësimi i gjendjes fizike të Dushan Vlahoviçit. Sulmuesi serb, që mungoi ndaj Monzës për shkak të një lodhjeje muskulore në kofshën e djathtë, ka reaguar pozitivisht ndaj terapive dhe pritet të rikthehet në stërvitje me grupin.
Me 14 gola në kampionat, ai mbetet lojtari më i rrezikshëm në repartin ofensiv të “Zonjës së Vjetër”, dhe kthimi i tij do të ishte një armë e çmuar kundër Bolognës. Ndërkohë, situata është më e paqartë për mesfushorin Teun Kopmeiners. Holandezi vijon të ketë dhimbje në tendinën e Akilit dhe, ndonëse nuk ka hequr dorë nga ideja për t’u rikthyer në kohë, çdo ditë që kalon e bën më të vështirë praninë e tij në listën e të grumbulluarve.
Ai është duke ndjekur një regjim intensiv terapish dhe gjithçka do të vendoset në minutën e fundit. Në vijën e sulmit, Tudor pritet të startojë me Kolo Muani, i cili është rikthyer te goli pas 79 ditësh në sfidën kundër Monzës. Ideja është të alternohet me Vlahoviçin në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht aftësitë e të dyve, pa e përsëritur eksperimentin e dyshes së bashku, që në Parma nuk dha rezultat.
PANORAMASPORT.AL