Vllaznia ka arritur një fitore me përmbysje, 2-1 përballë Tiranës në javën e 20-të të “Abissnet Superiore”. Në “Loro Boriçi”, në sfidën që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport, bardheblutë bënë një nisje më të mirë duke zhbllokuar ndeshjen në minutën e 13-të me anë të Haxhiut, 0-1, rezultat që mbylli pjesën e parë.
Vllaznia zgjohet në pjesën e dytë dhe në minutën e 51-të shënon golin e barazimit. Pas zhvillimit të një goditje dënimi është Balaj që e dërgon topin aty ku Selmani nuk mund të bëjë asgjë, 1-1.
Kur sfida po i drejtohej fundit, në skenë shfaqet edhe njëherë Balaj, i cili me një gjuajtje të bukur kompleton përmbysjen e çmendur në minutën e 84-ët, duke vulosur rezultatin përfundimtarë të kësaj sfide, 2-1.
Me këtë fitore Vllaznia “përqafon” kreun me 34 pikë, aq sa Dinamo, ndërkohë Tirana mbetet në kuotën e 18 pikëve, në vendin e parafundit.