Vllaznia zyrtarizon përforcimin e radhës, sulmuesin Mamadou Tounkara. Klubi shkodran, nëpërmjet një videoje të postuar në faqen zyrtare, i uron mirëseardhjen lojtarit më të ri.
Për Tounkara, i rritur te Lazio në Itali, është aventura e dytë shqiptare, pasi në vitin 2018 ka qenë për pak kohë pjesë e Flamurtarit, në formë huazimi.
“Mirë se vjen, Mamadou Tounkara! Forcë, energji dhe ambicie të reja për repartin sulmues të Vllaznisë. Tounkara vishet kuqeblu dhe është gati për sfidën e re! Welcome to Shkodra, Mamadou! Suksese me fanellën e Vllaznisë!” – shkruan klubi kuqeblu.
Sulmuesi i ri i Vllaznisë ka pasur shumë lëvizje në karrierën e tij, kryesisht mes kategorive të ulëta në Itali. Së fundi ka qenë pjesë e Guidonia Montecelio. Periudhën më të mirë e ka pasur te Viterbese, ku ka shënuar 16 gola.
Tounkara vjen te Vllaznia si një alternativë e Bekim Balajt, apo edhe për të luajtur bashkë me të. Me fillimin e kampionatit do të shihet se si do të shkojë aventura e tij shkodrane.