Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ka kryer katër vjedhje në biznese të ndryshme të qytetit, gjatë periudhës 19–28 tetor 2026.
Në kuadër të operacionit të koduar “Precedenti”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Y. D., banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje.
Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se 30-vjeçari ka vjedhur shuma parash, dy telefona celularë dhe pajisje të ndryshme, përfshirë edhe serverin e kamerave të sigurisë.
I arrestuari rezulton me precedent kriminal në fushën e vjedhjes. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbardhur nëse ai është i përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.