Futbollisti i ri i Llapit, Diar Vokrri është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës në futboll.
FFK-ja, ka njoftuar të hënën se Vokrrit i është ndarë çmimi “Ylli i Javës” pas vlerësimit të bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit.
Vokrri, i cili luan si mbrojtës krahu, pati paraqitje fantastike në fitoren e Llapit 1:0 në udhëtim te Drita.
Ai ishte aktiv si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, ndërsa asistoi në golin e vetëm të ndeshjes, të cilin e shënoi sulmuesi Ahmed Januzi.
Për Vokrrin, kjo është hera e parë që nderohet me këtë çmim, ndërsa ka shtuar se me Llapin synon titullin e kampionit.
“Është hera e parë që e fitoj këtë çmim dhe kjo më jep motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Fitorja kundër Dritës na shtyn para drejt synimeve tona në këtë edicion, pasi e dimë që Llapi këtë edicion është pretendent për titull dhe shpresojmë që në fund ta festojmë”, ka thënë Vokrri për faqen zyrtare të FFK-së.