Skënderbeu është gjysmëfinalist i parë i Play-off për titull kampion në volejboll për meshkuj. Pasi kishte mundur Studentin në ndeshjen e parë 3-0, të njëjtën gjë bën dhe këtë të hënë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në ndeshjen që erdhi drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Jo me pak mundime suksesi i korçarëve të Arben Priftit, që kanë triumfuar dhe duke patur dy lojtarë rezultativ në pozicionin numër 4 si Koks e Sanai. Në setin e parë Skënderbeu është shkëputur që në fillim 8-3 për të fituar 25-18.
Edhe në të dytin, pavarësisht përpjekjeve të Studentit të Kestrin Batallit për të ndryshuar situatat, sërisht fiton Skënderbeun 25-23. Në të tretin Studenti bën gjithçka për ta kthyer situatën në favorin e vet, teksa kryeson 9-5, 15-11, 22-19. Madje tre herë është pranë fitimit të setit në 24-22, 25-24 dhe 26-25.
Por nuk ia arrin Skënderbeu kthen gjithçka, ndërsa në fund fiton setin e tretë 27-29 dhe pas gati dy orësh 3-0. Në setin e dytë në rezultatin 8-7 ka patur dhe debate mes Drizës dhe Fernandez për të cilin gjyqtari kryesor Edison Kurti ka ndëshkuar me karton të verdhë lojtarin e Skënderbeut, por dhe stolin e Studentit për protestat e ndihmëstrajnerit Erion Zeqiri.
E megjithatë Studenti ka qenë i detyruar të pranojë verdiktin, kurse Skënderbeu në gjysmëfinale do të jetë përballë Tiranës. Në përfundim të ndeshjes kanë ardhur trajneri i Skënderbeut, Arben Prifti, dhe ai i Studentit, Kestrin Batalli
Sakaq janë caktuar dhe gjysmëfinalistët e Play-off për vajza, që janë Pogradeci – Skënderbeu dhe Tirana – Dinamo, ndërsa Erzeni për meshkuj, që ka fituar dhe ndeshjen e dytë me Vllazninë, 3-2, do të jetë përballë Partizanit. Gjithçka nis më 12 dhe 13 prill.