Bota e futbollit është tronditur rëndë nga lajmi i ekzekutimit të futbollistit ekuadorian, Jonathan González. Lojtari 30-vjeçar, i lindur në Quinindé, u vra pas një sulmi të armatosur në banesën e tij në Esmeraldas. Pamjet e përhapura në rrjete sociale kanë shkaktuar trishtim dhe frikë jo vetëm në qytetin bregdetar, por në të gjithë vendin dhe tek klubet ku ai kishte luajtur.
Ky akt i rëndë vjen në kuadër të valës së dhunës që po godet Ekuadorin. Vetëm një javë më parë, në qytetin Manta, një tjetër sulm i armatosur mori jetën e disa futbollistëve të klubit Exapromo Costa, duke e lidhur edhe sportin me krimin e organizuar.
González kishte një karrierë të gjerë në Amerikën e Jugut dhe në Meksikë. Ai ishte pjesë e Independiente del Valle, duke hyrë në historinë e klubit me pjesëmarrjen në finalen e Copa Libertadores 2016. Gjatë viteve luajti gjithashtu për Leones Negros, Dorados, León, Olimpia të Paraguajit, Liga de Quito, Deportivo Cuenca, Aucas, Mushuc Runa, Vargas Torres dhe së fundmi për 22 de Julio FC.
I njohur si “Speedy González”, mesfushori zhvilloi 352 ndeshje dhe shënoi 32 gola në total. Momentet më të mira i përjetoi me Independiente del Valle, ku luajti 97 ndeshje dhe shënoi 14 gola. Eksperienca e tij në Meksikë përfshiu edhe dy gola për secilin nga klubet Leones Negros dhe León.
Pas lajmit tragjik, klube si Independiente del Valle dhe Barcelona SC shprehën ngushëllimet e tyre, duke dënuar humbjen e një tjetër futbollisti për shkak të pasigurisë në vend.
Jonathan González do të mbahet mend për shpejtësinë dhe pasionin e tij në fushë. U prehtë në paqe.