Duhet të ketë ndryshuar diçka patjetër që Markus Turam shënon gol çdo 61 minuta dhe që dopietat janë duke u shndërruar në një ves të ëmbël.Golat si një gjahtar, dinakëria që karakterizon një sulmues nuk kanë qenë armët më të forta të francezit, por për mënyrën se si e ka nisur sezonin do të thotë që tani ka një arsenal më të madh: Armë sekrete, të papritura dhe befasuese. Mjafton të shihje ndeshjen e tij kundër të gjorës Atalantë për të kuptuar sensin e kësaj risie. Pas një viti eksperimentesh dhe shumë gabimeve përpara portave kundërshtare, Turam është bërë cinik.
Nëse në Xhenova shënoi me një goditje me kokë potente dhe një prekje klasi, golat kundër Atalantës ishin si bukë me sallam. Goditje praktike, por të vlefshme. Provokoi një autogol dhe 2 të tjerë i shënoi mes rrëmujës. Bomber puro. Duartrokiste babai Lilian, që tani do të jetë një shofer ne autostradën Torino-Milano dhe sigurisht që në distancë ka buzëqeshur edhe vëllai i tij Kefren. Të dy janë të lumtur që po vazhdojnë ëndrrën si lojtarë në vendin ku lindën dhe u rritën. Por Derbi i Italisë është diçka serioze dhe këtë e di mirë babai i tyre me eksperiencë në këtë punë.
ÇFARË PUNE- Është kurioz fakti që në këtë Inter, që u rikthye në krye të klasifikimit, nga 8 golat në total 4 i ka shënuar Turam dhe asnjë Lautaro që është larg formës së vitit të kaluar. Është përmbysur bota. Kështu francezi ka marrë titullin e “binjakut” të tij të sulmit. Është ai golashënuesi i startit të kampionatit. Duket sikur francezi i ka thënë të gjithë botës zikaltër: Mos kini frikë, këtu jam unë. Lautaro mund të rikthehet në formë me qetësi sepse i zgjidh ai hallet. Dhe nuk ka asgjë rastësore në këtë histori, pasi që kur u rikthye përpara kohe në stërvitje u kuptua që kishte shumë dëshirë. Donte që të largonte zhgënjimin e Europianit. Turam punon shumë me stafin dhe ka shtuar stërvitjet për të nderuar numrin që ka mbi shpinë. Nga efikasi përpara portës, nga goditjet dhe mënyra si e zotëron zonën, tani është një numër 9 total.
NISJE SPRINT- Nuk ja vlen të thuhet. Markus kurrë nuk kishte bërë një nisje sezoni kaq të mirë. Jo vetëm që është starti më i mirë i jetës, por vitin e kaluar në këtë kohë kishte shënuar vetëm një gol. Në fund të sezonit arriti në kuotën e 13 të tillëve. Jo keq, por të jepte idenë që në repertorin e tij kishte vend për përmirësime. Më shumë u limitua në punën për Lautaron. Sot, Markus është ai që “qeveris” topin në zonën e rreptësisë 25% më shumë sesa më përpara (30 prekje kundrejt 22 të një viti më parë). Porta kundërshtare për të është një mision. Në sezonin 2023-2024 arriti në 8 goditje, ndërsa tani janë 11 dhe me efikasitet të lartë duke parë që 7 prej tyre shkojnë në kuadrat. Në këtë jetë të re prej bomberi, Turam ka ditur shumë mirë që të mbulojë edhe momentin negativ të Lautaros. Por kjo gjë e ka bërë më pak altruist, sepse nga 2 asiste vitin e kaluar, sot ka zero.
TANI FRANCA- Koha do të rikthejë ekuilibrat e duhur brenda dyshes (Tu-La) dhe argjentinasi do të rigjejë raportin me portën kundërshtare. Por përtej të gjithave, Markus ka nisur një rrugë autonome si në “Appiano”, në “San Siro” dhe jashtë. Në një qytet kreativ që i shkon për mrekulli ka arritur të gjejë edhe besimin. Edhe në jetën private ka vendosur rregulla. Pas disa muajsh jete në hotel, që nga fundi i sezonit të kaluar ka gjetur shtëpi. Diçka perfekte për të mirëpritur babanë e tij dhe vëllanë. Nga Dimarko te Fratezi, tani në Nations League do të rigjejë një copëz Ineri në Paris. Sfida kundër Italisë do t’i tregojë Francës nëse ka gjetur përfundimisht një tjetër Turam.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL