Trajneri spanjoll Xabi Alonso mund të rikthehet në mënyrë sensacionale te gjiganti anglez Liverpool
.
Sipas raportimeve nga media spanjolle “OK Diario”, ai ka arritur tashmë një marrëveshje verbale me “Reds” për të marrë drejtimin e skuadrës nga sezoni 2026/27.
Sipas raportit, marrëveshja parashikon një kontratë trevjeçare, por aktivizimi i saj varet shumë nga performanca e trajnerit aktual të Liverpoolit, Arne Slot.
Madje thuhet se kjo marrëveshje mund të anulohet nëse Slot arrin ta udhëheqë Liverpoolin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Kontaktet e para joformale mes palëve raportohet se kanë ndodhur në fund të muajit nëntor, në një periudhë kur Alonso po përballej me presion në klubin e tij aktual. Në atë kohë, drejtuesit e Liverpoolit nisën të shqyrtojnë mundësinë për ta rikthyer ish-mesfushorin e tyre në bankinë duke filluar nga vera e ardhshme.
Interesimi për Alonson nuk është diçka e re. Në verën e vitit 2024, ai ishte në radarët e Liverpoolit dhe Bayern Munichut pas suksesit të madh që arriti në Gjermani, kur fitoi titullin dhe kupën pa pësuar asnjë humbje në kampionat.
Megjithatë, në atë kohë 44-vjeçari vendosi të qëndrojë te klubi i tij dhe refuzoi ofertat e klubeve të mëdha. Tani mbetet të shihet nëse rikthimi i tij në Anfield do të realizohet në të ardhmen e afërt./Telegrafi