Zvicra mund të quhet një “peshkim” me fat, duke parë rreziqet që i kanoseshin si e dytë në grup, por fatkeqësisht për Italinë dueli me helvetët ndjell kujtime shumë të këqija.Sepse pikërisht të kuqtë u bëheshin bllokadë “Axurrëve” për të munguar për të dytin edicion radhazi në një Botëror, në atë të Katarit 2022, diçka që nuk ishte parë kurrë në historinë e 4 herë kampionëve të botës, kështu që të shtunën arsyet për të fituar për Kombëtaren e Luçiano Spaletit do të jenë të shumta. Natyrisht që me atë çfarë Italia ka ofruar në tre ndeshjet e para të fazës së grupeve, duket disi pak për të përballuar të qetë këtë ndeshje të 1/8-ave, pasi rreziqet vijnë si nga brenda, ashtu sikurse nga jashtë.
FANTAZMAT E 2021 – Nëse gjithçka nisi me një kujtim shumë të bukur, duke qenë se Italia i shpartalloi me 3 gola zviceranët në fazën e grupeve të “Euro 2020”, duke ofruar një futboll spektakolar, që rriti besimin për të shkuar më pas te trofeu, viti pasardhës ishte krejt i errët. Në dy ndeshjet e grupeve, të cilat mund të kishin mbyllur llogaritë me kualifikimin për në “Katar 2022”, Italia sheh veten që të përplaset me murin helvet. Dy barazime, 1-1 dhe 0-0, në të cilat protagonist negativ ishte i njëjti person: Zhorzhinjo, me dy penallti të humbura, një në secilën ndeshje, pas së cilave i kushtoi “Axurrëve” 4 pikë që e lanë jashtë një tjetër Kupe Bote pas “Rusi 2018”. Një grusht i tillë nuk është i lehtë për t’u kaluar dhe pikësëpari, trajneri Spaleti duhet të punojë këto ditë nga ana psikologjike me skuadrën, sidomos me Zhorzhinjon, në mënyrë që këto kujtime të këqija të mos ndikojnë në fushën e lojës dhe të mund të çojnë Italinë në gabime, që mund ta kthejnë shumë përpara kohe në shtëpi, duke mos harruar se janë ata kampionët në fuqi të Europës.
“MURI” XHAKA – Nëse aspekti i brendshëm ishte te italianët ishte aspekti psikologjik, ai i jashtëm quhet mbi të gjitha Granit Xhaka. Mesfushori dhe kapiteni i Zvicrës është busulla e një kombëtareje që bëri të vuajë në mënyrë të frikshme edhe Gjermaninë vendase. Zvicra sivjet ka një stil edhe shumë italian, duke qenë se boshti formohet nga lojtarë që luajnë apo kanë luajtur në Serinë A (si Shaqiri, Rodrigez, Widmer e Frojler) dhe sidomos dy linjat mes mesfushës e sulmit të Bolonjës, Ebisher dhe Ndoje, dy lojtarë që luajnë në shpejtësi, janë teknikë dhe të paparashikueshëm, siç u pa edhe me “Pancerat”. Por truri mbetet Xhaka, ai “Graniti” që jo vetëm di të ngrejë mure përpara mbrojtjes së skuadrës së tij, por në të njëjtën kohë me të majtë shpesh ka thyer mure edhe nga distanca e largët, falë një goditjeje mahnitëse që ka. Kështu që analiza sesi mund të ndalet Zvicra duhet nisur e gjitha nga bllokimi i Granit Xhakës.
PRECEDENTËT – Por Italia nuk është e rrethuar në pritje të këtij takimi vetëm nga aspekte të vështira. Ka edhe nga ato pozitivet, siç janë statistikat ndër vite të një prej dueleve që është vënë më shpesh në skenë në Europë dhe në botë. Këto dy përfaqësueses janë ndeshur mes tyre 61 herë, nga të cilat “Axurrët” numërojnë 29 suksese, 24 barazime dhe vetëm 6 triumfe zvicerane (golavarazhi 111 me 68 për italianët). Madje, për të gjetur një sukses të fundit të të kuqve duhet shkuar 31 vite pas në kohë, më 1 maj 1993, në Bern, 1-0, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “USA 94”. Ndërkohë, Italia e ka të freskët suksesin 3-0 në grupet e “Euro 2020”, ndonëse duhet bërë kujdes në aspektin e barazimeve, kjo sepse 6 nga 8 ndeshjet e fundit kanë përfunduar “X”.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL