Granit Xhaka ka pranuar se ka marrë një certifikatë vaksinimi të falsifikuar gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në një letër të postuar në Instagram, Granit Xhaka, kapiteni i kombëtares zvicerane, pranoi se kishte blerë një certifikatë të falsifikuar vaksinimi. “Unë personalisht isha shumë i pasigurt për vaksinimin kundër Covid-it”, tha lojtari 33-vjeçar i Sunderlandit. Xhaka tha se ndjente “mosbesim të thellë ndaj vaksinës” dhe se ishte “i frikësuar dhe i pasigurt”.
Ish-lojtari i Leverkusenit më pas mori një certifikatë vaksinimi “në atë gjendje të ngarkuar emocionalisht”, në vend që t’i sqaronte çështjet e hapura përmes kanaleve të duhura. Tani Xhaka e pranon se veprimet e tij përbënin “qasje të gabuar” dhe synon të marrë “përgjegjësinë për këtë vendim” e të bashkëpunojë “plotësisht me autoritetet përkatëse”.
Kapiteni i kombëtares zvicerane nuk është grumbulluar për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare ndërsa pritet që të merret në pyetje nga prokurori i Lucernës në ditët e para të tetorit. A.V.