Granit Xhaka në moshën 33-vjeçare ka arritur që të kthehet në liderin e skuadrës së Sunderland. Për momentin “macet e zeza” janë mes katër më të mirave të Premier League-s ndërsa kapiteni i tyre arriti që të gjente mbrëmjen e kaluar edhe golin në takimin përballë Everton.
Pas ndeshjes kapiteni i Sunderland u mbulua prej përgëzimeve të ekspertëve të paneleve të ndryshme sportive. “Mendoj se ai (Granit Xhaka) është blerja e sezonit në Premier League. Mund të themi pa frikë se asnjë lojtar që ka mbërritur këtë verë në Premier nuk ka krijuar një impakt si ai i Xhakës te Sunderland”, tha ish-mbrojtësi i Liverpool, Jamie Carragher.
Pas duelit me Everton, Xhaka u shfaq përpara gazetarëve për të rrëfyer emocionet e para të një dueli mjaft emocionues. “Ndihem i lumtur për golin dhe për rezultatin pasi ishte një ndeshje e vështirë”, tha Xhaka.
Për mesfushorin pyetja për takimin e radhës të Sunderland ishte e pashmangshme pasi javën e ardhshme “macet e zeza” presin Arsenalin në shtëpi. “Për mua do të jetë një ndeshje me shumë emicion pasi kam qenë lojtar i Arsenal për shtatë sezone. Unë ende ruaj kontaktet me disa lojtarë dhe stafin teknik. Do të jetë një ndeshje speciale për mua dhe të shikojmë se cila prej skuadrave do të jetë më e mira atë ditë”, tha kapiteni i Sunderland, Granit Xhaka.


