Xhudistja Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Araba.
Të martën, Fazliu u rendit e treta në kategorinë deri 63 kilogramë. Në luftën për medaljen e bronztë, Fazliu e mposhti kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard.
Për 23-vjeçaren, medalja e bronztë në Botëror është sukses historik, më i madhi në karrierën e saj që erdhi pas pauzës prej disa muajve për shkak të lëndimit.
Në fakt, Fazliu të bronztën e fitoi nëpërmjet repesazhit, ku në luftën e parë mposhti australianen Katharina Haecker, përpara se ta mposht edhe kanadezen Beauchemin-Pinard për t’u konfirmuar e treta në botë.
Fazliu në raundin e parë ishte e lirë pasi ishte bartësja e tretë. Në raundin e dytë, Fazliu e mposhti kroaten Katarina Kristo kurse në të tretin ishte më e mirë se rusja Dali Luliashvili. Në çerekfinale, Fazliu u ndal nga Andreja Leshki e Sllovenisë, por vazhdoi garat në repesazh dhe arriti të fitoj medalje.