Me t’u eliminuar në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, xhudistja Loriana Kuka i ka dhënë fund karrierës së suksesshme në këtë sport.
Kuka, të enjten garoi në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa u ndal në luftën e dytë.
Në xhiron e parë, Kuka e mposhti sllovenen Meta Lobnik përpara se të humb nga ukrainasja Yelyzaveta Lytvynenko në xhiron e dytë.
Për Kukën, kjo ishte paraqitja e dytë në Olimpiadë, ndërsa gjatë karrierës së saj ka fituar shumë medalje.
Ka të bronztë botërore e evropiane, pra tri medalje nga ngjarjet madhore. Po ashtu, Kuka ka edhe një të artë dhe një të argjendtë në Lojërat Mesdhetare dhe të tjera në garat Masters, Grand Slam e Grand Prix.
Pas përfundimit të karrierës, 27-vjeçarja pritet të vazhdoj jetën në Zvicër, shtet të cilin e la para tetë vjetësh për t’u kthyer në Kosovë dhe ndërtuar një karrierë të suksesshme në xhudo.