Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) dhe Federata Evropiane e Xhudos, kanë thurë lavde për suksesin e arritur të xhudos së Kosovës në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” që përfunduan të dielën.
Kosova fitoi dy medalje olimpike në Paris, të argjendtën me Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe të bronztën me Laura Fazliun në kategorinë deri 63 kilogramë.
Pra, Kosova ishte në mesin e 91 vendeve me medalje të fituara, ndërsa plot 115 shtete kanë mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike Verore që u hapën më 26 gusht dhe u mbyllën të dielën në mënyrë madhështore.
Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) të hënën ka pranuar dy letra nga dy institucionet, ajo botërore dhe evropiane e xhudos.
“Puna dhe aftësia juaj e palodhur kanë bërë që të fitoni një medalje të argjendtë dhe një të bronztë për Kosovën gjatë Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’”, thuhet ndër të tjera në letrën e federatës ndërkombëtare të xhudos. Për suksesin e Kosovës në Paris, fjalë të mëdha në letër ka shkruar edhe federata Evropiane e xhudos.
“”Ky sukses në Lojërat Olimpike tregon talentin dhe shpirtin e jashtëzakonshëm brenda federatës tuaj”, thuhej ndër të tjera në letrën e federatës evropiane.
Letrën e IJF-së dhe EJU-së, Federata e Xhudos e Kosovës i ka publikuar të hënën.
Krahas Distrisë e Laurës, në Paris janë paraqitur edhe Nora Gjakova, Loriana Kuka e Akil Gjakova.