Pol Pogba erdhi me pretendime të mëdha te Juventusi pas aventurës së dështuar në kampin e Mançester Junajtidit, por problemet fizike kanë marrë trajtën e një makthi në Torino, aq sa të vënë në rrezik të ardhmen e 30-vjeçarit te “zonja e vjetër”, pa anashkaluar edhe rrogën e lartë.
Megjithatë, ka ende personazhe në radhët e bardhezinjve që besojnë se Pogba mund sakrifikojë deri në limit për të mirën e klubit, fjala është për drejtorin sportiv Kristiano Xhuntoli:
”Pol me shumë gjasa do të udhëtojë sot drejt SHBA-së, ku ekipi do të kryejë fazën përgatitore. Të gjithë e dimë se çfarë është i aftë Pogba të realizojë me topin në këmbë, sikurse dhe në ruajtjen e balancave, por lëndimet na kanë bërë të jemi në këtë gjendje. Rreth planit financiar, bordi po i monitoron të gjithë skenarët se si mund të dalim nga situata jo e lehtë financiare. Në sajë të kësaj rezymeje, po mendojmë reduktimin e pagës së Polit, i cili përfiton aktualisht 10.5 milionë euro bruto në sezon. Padyshim që për financat aktuale është shifër e konsiderueshme. Bisedimet e para mes palëve kanë filluar të eksplorohen dhe deri tani janë në rrugën e duhur drejt përmbylljes së një marrëveshjeje të kuptueshme dhe pranueshme për kampet respektive”, përfundoi 51-vjeçari italian.
Futbollisti me numër “10” në “Allianz Stadium” ka kontratë me Juven deri në verën e vitit 2026 dhe vlerësohet sipas mediumit ekspert të “Transfermarkt” 15 milionë euro, teksa në etapën që hodhëm pas krahëve ai u aktivizua në 10 takime, e përkthyer me 0 gola dhe 1 asist.
Vlen të ceket se drejtori sportiv i “zonjës së vjetër” gjendet me grupin në fazën përgatitore, ndryshe nga sa veprojnë personazhet e tjerë me këtë rol drejtues, sinjale se bardhezinjtë po funksionojnë si dikur, familje e madhe dhe e bashkuar.
PANORAMASPORT.AL