Këtë të mërkurë u shpallën të gjithë fituesit e çmimeve të ndara nga Tuttosport, ku, pa surpriza, Lamine Yamal ishte fitues i çmimit “Golden Boy”, që nderon futbollistin më të mirë evropian nën moshën 21 vjeç për vitin 2024. Përveç kësaj, u ndanë edhe nëntë çmime të tjera.
Mes fituesve ishte edhe Jorge Mendes, i zgjedhur si menaxheri më i mirë i vitit. Kjo zgjedhje u justifikua nga faqja italiane me transferimet e rëndësishme si ajo e João Neves nga Benfica te PSG dhe Leny Yoro nga Lille te Manchester United, të dy finalistë për çmimin Golden Boy.
Kenan Yildiz i Juventusit ishte më i votuari nga tifozët (Golden Boy Ëeb) si lojtari më i mirë U-21.
Michael Kayode i Fiorentinës u shpall futbollisti më i mirë i ri italian.
Toni Kroos mori çmimin ‘The Golden Player Man 2024’, për futbollistin më të mirë në këtë që ishte sezoni i tij i fundit.
Antonio Percassi, president i Atalantës, u shpall presidenti më i mirë, ndërsa Txiki Begiristain, drejtori sportiv i Manchester City-t, mori çmimin për drejtorin më të mirë sportiv. Në vendin e tij do të jetë Hugo Viana.
Në kategorinë e femrave, Aitana Bonmatí u nderua me çmimin ‘Golden Player’, si lojtarja më e mirë e vitit, ndërsa shoqja e saj te Barcelona, Vicky López, u shpall lojtarja më e mirë U-21. Giulia Dragoni, nga Roma, u shpall lojtarja më e mirë e re italiane.