Yann Bisseck është një nga të rinjtë më premtues në organikën e Inter. Mbrojtësi i zikaltërve u transferua në Itali verën e shkuar nga Aarhus dhe pritet që në sezonin e ardhshëm të marrë më shumë minuta nga trajneri Simone Inzaghi.
Së fundmi, 23-vjeçari zbuloi se ishte shumë pranë transferimit te Eintracht Frankfurt, ndërsa më pas shtoi se pret që në të ardhmen vlera e kartonit të tij të arrijë në shifrën e 30 apo 40 milionë eurove.
“Isha gati të shkoja në Bundesligë. Do të kishte qenë një hap logjik pasi kisha pasur një sezon të mirë në Danimarkë. Gjermania është afër, ka kuptim të shkosh atje nëse je një nga më të mirët në Danimarkë. Isha i bindur për t’u kthyer në shtëpi, flitej për këtë për disa kohë, familja ime kishte pasur idenë që unë të shkoja në Eintracht Frankfurt, klub me të cilin babai im kishte pasur biseda me drejtuesit.
Interi mbërriti më vonë, por gjërat po shkonin më mirë se sa pritej dhe në krahasim me klubet e tjera, ata ishin të gatshëm t’i paguanin Aarhusit atë që kërkuan.
Vlera e kartonit është rritur në 15 milionë euro? Nuk di shumë për këtë, por nëse luaj me më shumë vazhdimësi atëherë pres që kartoni im të kushtojë nga 30 deri në 40 milionë euro. Mendoj se kjo është një shifër realiste”, u shpreh Bisseck.