U deshën vetëm tri miqësore për të kuptuar se janë kthyer.
Skuadra e basketbollit të meshkujve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë e fortë, dhe ka dominuar në të gjithë botën, veçse gjithmonë mendohet se rivalët mund ta sfidojnë.
Kësaj nuk ia dolën as Serbia dhe as Australia, dy nga ekipet e tjerë pretendentë në Lojrat Olimpike që nisin në Paris në 26 korrik.
Ndaj ballkanasve, diferenca ishte e madhe, në përfundim plot 26 pikë, ndërsa në fushë ishin të tillë si LeBron James, Steph Curry, Anthony Davies, Jayson Tatum apo Joel Embiid, ku më i miri ishte Curry me 24 pikë, ndjekur nga Adebayo me 17 pikë, Edwards me 16 dhe LeBron me 11.
Nuk pati shpërthime dhe askush nuk luajti më shumë se 22 minuta, ndërsa Adebayo shtoi edhe 8 topa në tabela e 3 asistë.
Serbia pati në radhët e saj lojtarin më të mirë të sezonit të rregullt të NBA-së, Nikola Jokic, por Bogdanovic mungoi dhe ekipi nuk pati stol për të përballuar numrin e madh të yjeve kundërshtarë.
Amerikanët ishin më pak imponues në miqësoren e parë, fituar 98-82 ndaj Australisë, dhe ndoshta sepse ishin ende si me pushime.
“Kangurët” janë skuadra e pestë në renditjen botërore, ndaj Serbisë që është e katërta.
Anthony Davies pati 17 pikë e 14 topa në tabela, Devin Booker 16 pikë, Anthony Edwards 14 pikë dhe LeBron Xhejms 10 pikë, 3 topa në tabela e 3 asistë.
Kuptohet, luhet me 4 pjesë të sistemit europian apo botëror me 40 minuta gjithsej, jo 48 sipas standardit të NBA-së.
Kundër Kanadasë rezultati ishte i ngjashëm, 86-72, ndonëse trajneri Steve Kerr kërkoi më shumë përqëndrim sepse lojtarët e tij e humbën topin 18 herë.
Që tani kanë nisur krahasimet me skuadrat e së kaluarës, sidomos me “Dream Team” të Olimpiadës së 1992-it në Barcelonë ku ishin legjendat Michael Jordan, Magic Johnson, Larry Bird, Scottie Pippen, Patrick Ewing, John Stockton, Karl Malone, Clyde Drexler apo David Robinson.
Po ashtu, “Dream Team” të 2008 e 2012 me LeBron James, Kevin Durant, Kobe Bryant, Russell Westbrook, James Harden, Chris Paul, Anthony Davies apo Carmelo Anthony.
Në ekip mbetet gjithnjë LeBron James, ndonëse “Mbreti i basketbollit” sot është 39 vjeç, ndërsa së fundmi me shokët u bashkua edhe Kevin Durant..