As Lionel Mesi dhe as Kristiano Ronaldo… Si askush në botë! Ndonëse nuk ka festuar ende ditëlindjen e tij të 25-të (i bën më 20 dhjetor), ylli i kombëtares franceze, Kilië Mbape, falë tripletës ndaj Gjibraltarit, në mes të të cilës realizoi një gol kryevepër thuajse nga mesi i fushës, ka prekur kuotën e 300 golave (227 me PSG-në, 27 me Monakon dhe 46 në kombëtare).
Në të njëjtën kohë, renditet si golashënuesi i tretë më i mirë i historisë së “gjelave” pas Olivie Zhirusë me 56 realizime dhe Tierri Henrisë me 51, por pa dyshim që Mbape ka kohë që t’i kalojë të gjithë këta dhe të shkruajë numra të rinj, rekorde të tjera në vitet në vazhdim, ndoshta të pathyeshme për të tjerë që do e pasojnë, duke parë moshën e tij shumë të re. “Ku e gjeta atë gol nga mesfusha? E kam talent, nuk e fsheh”, tha duke qeshur në konferencë Kilië. “Pavarësisht shakave, e kisha studiuar disa herë portierin e Gjibraltarit. Për 20-25 minuta në pjesën e dytë, shihja vetëm faktin që ai rrinte shumë larg portë dhe në momentin e duhur, gjeta atë goditje që fatmirësisht përfundoi në rrjetë.
Ishte thjesht instikti që më bëri të besoj tek ajo goditje dhe shkoi gjithçka mirë”. Lidhur me triumfin rekord të të gjithë historisë së kombëtareve, Mbape pranon se pas pjesës së parë, e kishin vendosur në dhomat e zhveshjes të gjithë bashkë. “Pas 7 golave në pjesën e parë, ne donim që të thyenim 10-0 që kishim vendosur ndaj Azerbajxhanit dhe vendosëm që të shtyjmë në maksimum edhe në pjesën e dytë.
Por nuk e kisha menduar se do të vendosnim rekord historik me 14 golat. Kjo është diçka e bukur, sepse nuk ndodh shpesh që të shënosh në rang kombëtaresh, 14 gola. 300 gola vetëm 24 vjeç? Janë një shifër e mirë, por ka të tjerë që kanë bërë nga 800… (referuar idhullit Ronaldo) Prandaj duhet të përpiqem ende më shumë sesa kaq”, përfundoi ylli i Francës.
PANORAMASPORT.AL