FC Barcelona pritet të ketë disa lëvizje gjatë afatit kalimtar veror, me disa lojtarë që mund të largohen nga “Spotify Camp Nou”. Mes emrave të përmendur janë Marc-Andre ter Stegen, Marc Casado dhe Gerard Martin.
Ky i fundit ka pasur një rol të rëndësishëm këtë sezon, duke u aktivizuar më shpesh si qendërmbrojtës, ndonëse natyralisht është mbrojtës i majtë. Trajneri Hansi Flick e konsideron një alternativë të besueshme në repartin defensiv.
Interesim për Martin ka shfaqur edhe AC Milan, që e sheh si përforcim të vlefshëm për sezonin e ardhshëm. Duke qenë se ai nuk është titullar i padiskutueshëm te Barcelona, në Itali besohej se një marrëveshje mund të ishte e arritshme.
Megjithatë, sipas raportimeve të Mundo Deportivo, vetë lojtari nuk ka asnjë dëshirë të largohet. Martin thuhet se ndihet i lumtur në klubin katalanas dhe e konsideron këtë periudhë si realizim të një ëndrre.
Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, gjasat për një transferim drejt Milanit në verë duken aktualisht të vogla.