Thursday, 19. February 2026
Sport

“Ylli i Javës”, Kryeziu i Ballkanit

GS 09/02/2026 2 Min. Lesezeit

Sulmuesi i krahut, Almir Kryeziu e ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë të javës në Superligën e Kosovës.

Kryeziu, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 19-të, që u zhvillua vikendin e shkuar, dhe më të cilën edhe zyrtarisht nisi stinori pranveror në Superligë.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën ka njoftuar për epitetin e më të mirit, që i ka takuar futbollistit të Ballkanit, gjë që është konfirmuar nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili edhe ka bërë vlerësimin.

Kryeziu pati paraqitje fantastike në fitoren e Ballkanit në udhëtim te Gjilani me rezultatin 2:1, ndeshje kjo derbi e xhiros së 19-të.

Në këtë fitore të rëndësishme të Ballkanit, Kryeziu pati fjalën kryesore, me një gol të shënuar dhe një asistim për të konfirmuar triumfin e ekipit nga Suhareka.

Pasi mori çmimin, Kryeziu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës, dhe shtoi se synimi i Ballkanit këtë sezon mbetet i qartë, titulli i kampionit.

“Synimi i FC Ballkanit tashmë dihet se është dalja kampion dhe jemi në rrugën e mirë për ta arritur këtë qëllim, por jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës, andaj do të luftojmë në të dyja garat”, tha ndër të tjera Kryeziu për faqen zyrtare të FFK-së.

Ballkani është lider i Superligës me 36 pikë, ndërsa Kryeziu deri më tani ka realizuar 7 gola e 8 asistime këtë sezon në kampionat.

Teilen: