Frenki de Jong është në një udhëkryq për sa i përket të ardhmes. Mesfushori holandez ka edhe dy vite kontratë me Barcelonën, me klubin katalanas që i ka propozuar rinovimin që tre muaj më parë. Por siç kanë bërë me dije “Sport” dhe “MD”, holandezi nuk i është përgjigjur ende ofertës së klubit.
Madje gjasat janë që ai të refuzojë rinovimin. Por klubi i Barçës ka kërkuar të mos humbasë më shumë kohë dhe i ka kërkuar lojtarit që të marrë sa më shpejt një vendim.
Arsyeja është se kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2026 dhe në klub ata konsiderojnë se “koha” ideale në këto raste është që të ketë ide të qarta për të ardhmen e një lojtari dy vjet përpara fundit të kontratës për të vepruar në përputhje me rrethanat. Barça dëshiron të vazhdojë me Frenkin, por lojtari nuk është i bindur te plani sportiv i klubit.
Kjo ka bërë që Barcelona të vihet në lëvizje dhe siç raportojnë mediat pranë klubit blaugrana, presidenti Laporta sapo të mësonte vendimin e lojtarit do të ishte gati ta nxirrte në shitje për një shumë që i afrohet 100 milionë eurove.
Kujtojmë se Barcelona i pagoi 85 milionë euro Ajaksit në vitin 2019 për shërbimet e mesfushorit të kombëtares holandeze. Dhe tani që ai është konfirmuar si një lojtar kalibri, katalanasit duan të përfitojnë financiarisht.
Ndërkaq, sipas “AS”, sirenat e para për Frenki de Jongun kanë rënë. Janë të paktën 3 klube që kanë shfaqur gatishmëri, me Totenhemin që është i pari në listë.
PANORAMASPORT.AL