Lamar Odom, ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, është dëbuar nga shtëpia pasi u akuzua se nuk kishte paguar qiranë e apartamentit në Los Angeles.
“New York Post” raporton se Odom, i cili luajti për Clippers, Mavericks, Heat dhe Lakersat gjatë karrierës së tij të suksesshme në NBA, u urdhërua të lironte shtëpinë me qira në Los Angeles, pasi qiradhënësi e paditi për mospagim të 45.000 dollarëve qira të prapambetura.
Executive Recovery Group, Inc. pretendon se Odomi nuk ka paguar qiranë për tre muaj, nga 1 janari deri më 31 mars. “Nëse nuk i përmbushni detyrimet tuaja, qiradhënësi do ta ndërpresë kontratën e qirasë sipas së cilës ju e zotëroni pronën”, iu tha Odomit.
Lamar Odom nuk arriti ta paguante të gjithë borxhin e qirasë (45.000 dollarë) brenda tri ditësh dhe u dëbua. Ish-apartamenti i Lamar Odomit, i cili kushtonte afërsisht 500 dollarë në ditë, dikur ishte marrë me qira nga reperi i ndjerë Mac Miller.